Pas një periudhe të brishtë qetësie, është sërish ‘’luftë’’ mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëdhëniet janë tendosur deri në atë pikë sa Sofja ka njoftuar tërheqjen e ambasadorit në Shkup dhe ndërprerjen e të gjithë projekteve të përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e veriut.
Kjo është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Milkov, pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, ku është diskutuar për tensionet e fundit me Shkupin, pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit - përfaqësuesit të një klubi bullgar në qytetin e Ohrit. Sulmi ndaj tij ka ndodhur më 19 janar, por hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale, apo për shtetësinë e tij bullgare. Për rast po hetohen katër persona.
“Të gjithë jemi të mendimit se gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë qenë. Kjo që po ndodh nuk është qasje produktive. Duhet të bëhet e qartë se gjërat kanë ndryshuar. Ne do të shqyrtojmë më shumë komponentë dhe elemente të bashkëpunimit tonë dypalësh me këtë shtetin tonë fqinj”, tha Nikolai Milkov.
I pyetur nëse pas këtij incidenti Sofja do t’i bllokojë bisedimet e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Milkov tha se Bullgaria nuk do ta bëjë këtë gjë, pasi, “bisedimet asnjëherë nuk kanë filluar”.
Ai foli gjithashtu për një tjetër çështje që ka përplasur dy vendet; vizita e paralajmëruar e bullgarëve në Shkup në festën e 4 shkurtit kur shënohet ditëlindja e Goce Dellçevit, personalitet i viteve 900, identitetin e të cilit e pretendojnë si Sofja ashtu edhe Shkupi.
Ministri i Jashtëm bullgar paralajmëroi për pasoja nëse grupi do të ndalohet të hyjë nw Shkup. Tensionet mes dy shteteve janë acaruar në tre muajt e fundit, pas hapjes së klubeve bullgare në Manastir dhe Ohër, të cilat janë kundërshtuar nga pala maqedonase, pasi mbajnë emrat e Car Borisit të Tretë dhe Vanço Mihajlovit, personalitete bullgare që kanë luftuar për bashkimin e territoreve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë. (A2 Televizion)