
Arbi Agalliu, deputet i Partisë Demokratike, në deklarata ekskluzive për A2 CNN, deklaroi se paga e deputetëve ka 10 vite që nuk është indeksuar dhe deputetët e ndershëm “e kanë pagën një element bazik për punën që bëjnë”.
“Personalisht, por edhe grupi parlamentar demokrat, që në shtator të vitit 2021, kur Shqipëria ishte në prag të krizës ekonomike, kemi kërkuar marrjen e disa masave nga qeveria. Masat nisnin me uljen e TVSH-së së shportës në 5%, me rritjen e pensioneve, rritjen e pagave për shtresat vulnerabël dhe rritjen e ndihmës sociale. Kanë kaluar gati dy vite nga ai moment dhe thirrja jonë ka qenë e vazhdueshme. Qeveria, me vonesë, solli propozimin e rritjes së pagave për të gjithë administratën publike. I vetmi rregullim që u bë ishte ruajtja e hierarkisë së pagave, nga Presidenti i Republikës e deri te nëpunësi i fundit i administratës. Në këtë kontekst, duke pasur 10 vite mosindeksim të pagave, një rritje të çmimeve, rritja është domosdoshmëri për realitetin shqiptar”, tha Agalliu.
“Nuk ka asnjë marrëveshje të fshehtë mes opozitës dhe mazhorancës. Është projektligj i vonuar dhe ajo që bëhet sot, gjë e ndyrë nga pikëpamja e asaj që prodhon politika, është që shitet e shkëputur nga tërësia paga e deputetit. Kjo pagë është e paindeksuar që nga viti 2005. Unë kam kërkuar ikjen nga politika të gjithë atyre individëve që kanë krijuar perceptimin se deputetët nuk ka nevojë për para. Por, më besoni, deputetët e ndershëm e kanë pagën një element bazik për punën që bëjnë”, shtoi deputeti demokrat.
“Nuk kam kompleks nga lojërat politike që të dalë njëri i mirë e tjetri i keq. Jam futur në politikë me dëshirën për të bërë diçka mirë. Të kërkosh rritjen e pagës së njerëzve nuk është as mëkat dhe as turp”, theksoi Agalliu. (A2 Televizion)