“Për anëtarësimin në BE, Shqipëria dhe Maqedonia tashmë janë një hap përpara të tjerëve, duke lënë pas Serbinë dhe Malin e Zi”.
Kështu është shprehur Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Johaness Hahn në një intervistë dhënë për median gjermane “Welt”, teksa ka folur mbi situatën në Ballkan dhe anëtarësimin në BE të këtyre shteteve.
Progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hahn e sheh si një kompeticion, sipas së cilit, ai aktualisht kryesohet nga Shqipëria e Maqedonia, që kanë lënë prapa Serbinë e Malin e Zi.
Ndër të tjera, Komisioneri për Zgjerim nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe Kosovën. I pyetur se çfarë konfliktesh fondamentale duhet të zgjidheshin në mënyrë që vendet e rajonit të bashkoheshin, Hahn tha se “Serbia dhe Kosova duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë mes tyre. Në përgjithësi, duhet të bëhen përparime të konsiderueshme në të drejtat themelore. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, vendet e BE-së duhet të binden se pranimi premton më shumë stabilitet, tregje të reja dhe më shumë prosperitet për të gjitha palët”, u shpreh Komisioneri. (A2 Televizion)