Apeli i Posaçëm jep vendimin përfundimtar për ish-shefin e Policisë së Dhërmiut, i akuzuar si pjesë e Grupit të Habilajve

Nga A2 CNN
27 Janar 2023, 12:50 | Kronikë
Apeli i Posaçëm jep vendimin përfundimtar për ish-shefin e

Apeli i Posaçëm ka dënuar me 12 vite burg ish-shefin e Policisë në Dhërmi, Sokol Bode, që ishte pjesë e aktiviteteve kriminale të grupit të Habiljave, në veçanti trafikun e drogës ne drejtim të Italisë.

Sipas vendimit të Gjykatës, Bode deklarohet fajtor për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e për këtë ai dënohet me 12 vjet burg.

Bode akuzohet gjithashtu edhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, për të cilën dënohet me 2 vite burg, ndërsa në total Gjykata i ka dhënë atij 12 vite burg. Por, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë vetëm 8 vjet burgim.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Genti Shala (anëtar) dhe Valdete Hoxha (anëtare), sot më datë 27.01.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 14/70 akti, datë 13.10.2022, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri S.B., kundër vendimit nr. 28, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

-“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B. për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar përkatësisht nga nenet 283/a/1, 28/4, 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.B. për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

3. Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55/1 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit S.B., me një dënim të vetëm me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

4. Në aplikim të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit S.B., me 8 (tetë) vjet burgim.

5. Vuajtja e dënimit për të pandehurin S.B. të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.

6. Në aplikim të nenit 16, pika 1, gërma “a” të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri S.B. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë...”.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 28, datë 22.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.” (A2 Televizion)

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
https://a2news.com/video/denohet-me-12-vite-burg-ish-shefi-i-postes-ne-dhermi/
https://a2news.com/2022/08/13/ceshtja-habilaj-gjykata-njeh-me-masen-arrest-me-burg-ish-shefin-e-policise-sokol-bode/

A2 CNN Livestream

Latest Videos