Shqipëria është paditur të paktën 14 herë në çështje në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar. Nga këto çështje 5 janë humbur, 5 presin gjykimin dhe 4 janë fituar.
Teksa nga një anë gjykatat na kanë ngarkuar me një detyrim financiar prej të paktën 388 milionë eurosh, shteti ka të drejtën të kërkojë kompensimin e kostove proceduriale dhe përfaqësimit me avokatë, në rastet kur shpallet jofajtor. Por edhe në këto raste, një raport i Avokaturës së Shtetit evidenton paaftësinë për të rikuperuar kostot e majme të proceseve.
Në rastin e çështjes Anglo-Adriatic Group kundër Republikës së Shqipërisë, njohur ndryshe si çështja e bonove, Avokatura e Shtetit duhet të merrte veprimet e mëtejshme për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Tribunalit të ICSID, për të kërkuar kostot me vlerë të paktën 250 mijë euro.
Në rastin e çështjes Albaniabeg Ambient kundër Shqipërisë, rezulton se shteti ka paguar të paktën 59,504 euro padrejtësisht, për të cilat Avokatura e Shtetit duhet të marrë masat në vijim për rikuperimin.
Në favor të Shqipërisë, forumet e Arbitrazhit janë shprehur edhe për çështjen Burimi Srl dhe Eagle Games në fushën e lojërave të fatit, duke njohur 442 mijë dollarë shpenzime që duhet të paguhen nga paditësi. Vendimi është dërguar për ekzekutim përmes Zyrës së Përmbarimit, por nuk disponohet informacion shtesë mbi rikuperimin e shumës.
Ndërsa në rastin e Sky Petroleum kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe AKBN, gjykata urdhëroi kthimin e 382 mijë dollarëve, por kompania rezultoi që kishte falimentuar pas angazhimit të një firme të huaj për ekzekutimin e vendimit.
Eficenca e ulët e institucioneve në gjyqet e arbitrazhit shtrihet në disa drejtime. Ndonëse shteti ka të drejtën të kërkojë kompensimin e kostove proceduriale dhe përfaqësimit me avokatë, në rastet kur shpallet jofajtor, një raport i Avokaturës së Shtetit evidenton paaftësinë për të rikuperuar kostot e majme të proceseve. Të tilla probleme u evidentuan edhe në reportazhin e titulluar “Kostot e fshehura të arbitrazhit” në bashkëpunim me Investigative Network Albania, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.
(A2 Televizion)