25 automjete retro nga vende të ndryshe të Europës mbërritën për herë të parë në Shqipëri. Në këtë tur të tyre në 11 shtete që nisi nga alpet më borë të Austrisë, makinat e vjetra zgjodhën Shkodrën si ndalesën e parë në vendin tonë.
“Hera e parë në Shqipëri. Erdhëm nga Austria ndërkohë që më përpara kam qenë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria një vend i bukur. Nuk kishim asnjë problem derisa erdhëm këtu. Ishte një tur shumë i bukur edhe përjetuam mjaft mirë” thotë për A2 CNN një turist.
“U nisëm nga Austria nga një vend shumë i bukur turistik. Ishim në Slloveni, Kroaci, Malin e Zi dhe tani në Shqipëri, kaluam një kohë të mirë. Shijuam një rrugëtim të kënaqshëm me male të bukura, rrugë të bukura, vërtetë e shijuam”, thotë një tjetër.
“Është xhiro e parë që bëjmë drejt Shqipërisë dhe gjetëm këtu njerëz shumë miqësor, një surprizë pozitive për ne. Rrugët të bukura, policia nuk na ndali asnjëherë dhe thamë çfarë po ndodh, kështu që është mirë këtu. Kemi një orë që kemi ardhur dhe duhet të pimë pak alkool dhe më pas do jetë më bukur”.
Drejtuesit e këtyre mjeteve të paçmueshme dhe organizatorët e turit janë përshëndetur edhe nga kryetari I bashkisë së Shkodrës, sipas të cilit ndalesa të tilla shtojnë interesin edhe te turistëve të tjerë për Shkodrën. Turi 14 ditor i 25 mjeteve Retro do të përfundojë në Athinë. (A2 Televizion)