Përpos trajnerit Edy Reja, miqësorja me Italinë është speciale edhe për Kristjan Asllanin. Talenti i Interit jeton përtej Adriatikut prej moshës 2-vjeçare dhe pret me padurim të sfidojë të kaltrit, me synimin që kuqezinjtë t’i dhurojnë kënaqësi tifozëve.
“Do jetë një ndeshje e veçantë, pasi prej moshës 2 vjeç jetoj në Itali. Kam shumë shokë atje. E dimë që do të jetë shumë ndeshje e vështirë me Italinë, por do të provojmë t’i lumturojmë tifozët. Besoj që kjo është Shqipëria më e fortë, synojmë të kënaqim të gjithë shqiptarët”, tha mesfushori kuqezi për mediat.
Ecuria jo e mirë në ndeshjet e fundit nuk e ka përçarë grupin. Kjo është garancia e yllit të ri të Panathinaikos, Enis Çokaj. “Marrëdhënia në ekip është gjithmonë e mirë. Çdo herë që vijmë këtu, e ndjejmë veten si familje. Rezultatet jo të mira janë çështje fati. Me Italinë është një ndeshje e madhe, por të gjithë lojtarët në Kombëtare e ndjejnë veten gati”, tha Çokaj.
Shqipëria luan me Italinë të mërkurën e 16 nëntorit, në Arenën Kombëtare. (A2 Televizion)