Milan dhe Inter mbyllin vitin me fitore, Mourinho me karton të kuq

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2022, 20:03 | Futboll
Milan dhe Inter mbyllin vitin me fitore, Mourinho me karton të kuq

Milan dhe Inter kanë mbyllur vitin 2022 me fitore në Serinë A. Kuqezinjtë mposhtën 2-1 Fiorentinën vetëm në minutat e fundit, pas një autogoli të Milenkovic.

Ekipi i Piolit kishte kaluar në avantazh që në minutën e dytë, me anë të Leaos, por shifrat i barazoi Barak, në minutën e 28.

Me këtë fitore, Milan mban vendin e dytë, me 33 pikë, 8 më pak sesa Napoli.

Ndërkohë, Inter mposhti në transfertë Atalantën, me rezultatin 3-2. Pas fitores tenistike 6-1 ndaj Bolognas, Inter koleksionon edhe fitoren e dytë radhazi. Zikaltërit morën pikët e plota, edhe pse u ndëshkuan në minutën e 25 nga Lookman, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh.

Gjithsesi, reagimi i zikaltërve erdhi brenda pjesës së parë falë Edin Dzekos. Boshnjaku rezultoi protagonist për të tijtë pasi në pjesën e dytë, shënoi sërish dhe i dhuroi avantazhin Interit. Në minutën e 62-të, Lautaro Martinez godet me kokë topin që pas një devijimi të Palominos përfundon në rrjetë me rezultatin që shkoi në 1-3.

Megjithatë, vendasit nuk ishin dorëzuar plotësisht dhe në 77-tën, Palomino shënoi për Atalantën që ndezi shpresat për një barazim të mundshëm. Por, Inter ia doli ta menaxhonte avantazhin dhe në fund triumfoi teksa tashmë zikaltërit ngjiten në vendin e katërt të klasifikimit me 30 pikë.

Ndërsa Roma barazoi 1-1 në “Olimpico” ndaj Torinos, duke humbur pikë të tjera të rëndësishme. Verdhekuqtë e shmangën humbjen në kohën shtesë, me golin e Matic, teksa miqtë nga Torino kishin kaluar në epërsi me Linetty, në minutën e 55.

Nuk ka mundur t’i përmbajë nervat Jose Mourihno, që pak çaste para përfundimit të kohës së rregullt u ndëshkua me karton të kuq për protesta.

Në takimet e tjera Monza triumfoi 3-0 ndaj Salernitanës dhe Verona u mposht 1-2 nga Spezia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos