Ndërron jetë në spital Genci Caci, i cili mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur në Durrës dy ditë më parë, ku u vra edhe Edison Harizaj. 33-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
I riu ishte në drejtim të automjetit mbi të cilin u qëllua me breshëri automatiku, ndërsa Edison Harizaj ishte pasagjer. Harizaj njihej si person me precedent penalë të shumtë dhe konsiderohej si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit.
Emri i Harizajt ka dalë disa herë gjatë hetimeve për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale, përfshirë vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, apo zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë, si dhe vendosje gjobash ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend.
Harizaj u bë i njohur për median më 30 qershor 2012, ditën kur RENEA arrestoi ne Lezhë Emiljano Shullazin. Por edhe pse doli para gjykatës, ndryshe nga Shullazi, Harizaj u la i lirë. (A2 Televizion)