
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar pas protestës së organizuar nga disa maturantë për testin e gjuhës dhe letërsisë.
Ministrja Shahini deklaroi se ndihet e çuditur që nxënësit protestojnë për provime të vështira dhe akuzoi opozitën si nxitëse dhe organizatorë të këtyre protestave.
“Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për "provimet e vështira"! Megjithatë, keqardhja për nxënësit "protestues" më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre! Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon "lehtësimin" e dhënies së notave për nxënësit”, tha Shahini.
Më tej ministrja Shahini deklaroi se provimi i këtij viti është më i lehtë nga vitet e kaluar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe nëse rastis e kundërta atëherë QSHA bën rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë.
“Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternative. Nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA bën rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike dhe jo më për protesta opozitare”, përfundoi ministrja. (A2 Televizion)