Bujar Osmani e viziton Prishtinën me një rol të dyfishtë: si ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së.
Pasi u prit nga homologia Donika Gërvalla, ai shprehu mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi dhe bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe minimizimin e konflikteve si dhe mosmarrëveshjeve.
“Pavarësisht të gjitha sfidave asnjëherë nuk duhet t’i ndalojmë diskutimet për gjërat që janë të rëndësishme, kjo është e rëndësishme edhe për dialogun e lehtësuar nga BE. Jemi të lumtur që e kemi organizuar një takim në Ohër që ka trasuar rrugën më tej për normalizimin e marrëdhënieve, ne e mbështesim këtë proces që kontribuon në stabilitetin rajonal. Dhe e thash dje në Beograd, dhe do të doja ta përsërisë edhe këtu, është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës që t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut të lehtësuar nga BE.”
BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM I RMV, KRYESUES I OSBE
Ministrja e jashtme e Kosovës fokusin e vendosi tek zbatimi i marrëveshjeve të firmosura në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Të dy u pajtuam që duam të besojmë që të gjitha shtetet që kanë nënshkruar këto marrëveshje do të ecin përpara me implementimin. Ndërkohë, konstatuam se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova i kanë ratifikuar në ndërkohë dhe po merren me zbatimin e tyre.”
DONIKA GËRVALLA, MINISTRE E JASHTME E KOSOVËS
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani u prit në takim dhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Kryetarja e shtetit përmendi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj marrëveshjeve të Brukselit dhe përmendi angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
Ministri Osmani u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, me palët që vlerësuan bashkëpunimin e mirë dhe folën për projekte të përbashkëta. (A2 Televizion)