
8 dhjetori në vitit 1990, të rinjtë e Shqipërisë i dolën për zot asaj duke përmbysur një nga diktaturat më të egra të regjimit komunist në Europë. Sot, 32 vite më pas, vendi në mënyrë paradoksale, vuan mungesën e rinisë së tij.
Kukësi është një ndër qytetet që po përjeton më shumë braktisjen veçanërisht nga të rinjtë. Mungesa e perspektivës, punësimit dhe mundësive, ka bërë që mijëra të largohen. Por edhe ato që janë këtu vështrimin e kanë nga emigrimi. Në ditën e rinisë, ndërsa institucionet e shfrytëzojnë për të bërë një ditë pushim, aktivistë të shoqërisë civile në Kukës, përpiqen të zgjojnë shtetin dhe të motivojnë rininë që të bëjnë edhe një sakrificë tjetër për ta ndërtuar të ardhmen e tyre në vendlindje, jo vetëm më arsimin dhe edukimin por edhe me ngritjen e zërit për mungesën e vëmendjes dhe mundësive të munguara.
Emigrimi masiv i të rinjve nga Kukësi ka nisur që në vitin 2014, ndërsa vitet e fundit largimet janë bërë akoma më ndjeshme aq sa edhe qeveria britanike ka nisur një projekt konkret në bashkinë e Kukësit për të inkurajuar të rinjtë të mos largohen. (A2 Televizion)