Është mbushur një vit nga nisja e sulmit rus mbi Ukrainë, një ngjarje që tronditi ekonominë botërore dhe u shoqërua me disa kriza. Përgjatë kësaj periudhe, çmimet në tregjet botërore shënuan nivele rekord, duke e kërcënuar ekonominë globale nga inflacioni i lartë, i cili ende vijon të jetë kokëfortë. Ekonomia shqiptare gjithashtu vuajti pasojat, ndërkohë që situata u duk se u stabilizuar të paktën për karburantet dhe energjinë. Ndërkohë që një situatë tjetër problematike duket se po troket në tregun financiar amerikan, duke paralajmëruar sërish pështjellim.
Në A2 Business këtë të premte u diskutua për efektet e luftës mbi ekonominë shqiptare, e cila po vuan edhe nga një tjetër presion i brendshëm, që është emigracioni i lartë, çka ka bërë që qeveria të kthejë sytë nga tregu i punës dhe të apelojë bizneset për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
Por a është stabilizuar situata në vendin tonë? Përgjigje kësaj pyetjeje i dha ekonomisti Dritan Shano, për të cilin pasojat e krizës do të vijojnë të ndjehen të paktën edhe për një vit.
“Efektet e asaj që sot perceptohen si rrjedhoja të luftës në Ukrainë, por që lidhen fortë me ato 10 trilionë dollarë të hedhura në treg për të luftuar një luftë tjetër përpara luftës së Ukrainës, do të vijojnë të ndjehen të paktën edhe vitin që vjen. Në ekonominë shqiptare, mendoj se 2023-2024 do të jenë vite që do të vazhdojmë t’i përjetojmë. Këtyre gjërave ne nuk i fshihemi dot dhe varen pak nga qeveria.
Ne kemi probleme shumë të mëdha dhe prandaj jemi të fundit në të gjitha indekset e zhvillimit që maten, si me zhvillimin njerëzor dhe ato që matin qeverisjen”, u shpreh eksperti i ekonomisë. (A2 Televizion)