Fatura e lartë e pazarit, qytetarët po i blejnë shtrenjtë ushqimet, akuzojnë tregtarët

Nga A2 CNN
8 Maj 2023, 15:04 | Ekonomi
Fatura e lartë e pazarit, qytetarët po i blejnë shtrenjtë

Inflacioni po zbutet, por kjo nuk po përkthehet në xhepat e qytetarëve. Përkundrazi, ata i druhen çdo ditë etiketave të ushqimeve si frutat dhe perimet.

“E lidhin me naftën apo krizën në Ukrainë situatën, u ngritën çmimet andej u ngritën dhe këtej, ra çmimi i naftës andej, por këtu çmimet e tjera nuk ndryshojnë më të zbresin disa vlera më poshtë”, shprehet një qytetar.

Më të prekurit nga kjo situatë ndihen pensionistët të cilët edhe me indeksimin e vjetshëm të pensionit, por dhe bonuset e dhëna nga qeveria, nuk arrijnë t’i përballojnë çmimet e larta.

“Më pak s’do blejmë, por do shtrëngohemi te një produkt tjetër duke mos e blerë.”

“Ata e rritën pensionin nga ana tjetër, këta i ngrenë më shumë çmimet e fruta-perimeve."

Ndër produktet më të shtrenjta janë bulmeti dhe mishi, për të cilat qytetarët thonë se janë detyruar t’i konsumojnë pak.

“Perimet ulen tani se ka më shumë prodhim, por prapë nuk merret vesh çdo bëhet, por këtu nuk ndryshon lehtë një gjë. Djathi 1kg, 1400 lekë, imagjino të marrësh gjysmë kile 750 lekë, shumë e shtrenjtë e marrim me pikatore.”

Nga ana tjetër, tregtarët me ardhjen e sezonit të verës flasin për një përmirësim të çmimeve pasi produktet vendase pritet të furnizojnë një pjesë të mirë të tregjeve.

“Krahasuar me një muaj më parë çmimet janë gjysmë për gjysmë. Po të krahasosh sa ishte domatja 300 lekë greke dhe italiane tanimë është 150 lekë. Është koha stina që ka prodhim vendi sa të duash dhe ulen çmimet.”

Grupi i ushqimeve vijon të mbetet një nga ndikuesit kryesorë tek inflacioni, duke rënduar te buxhetet familjare me 4 mijë deri në 6 mijë lekë më shumë çdo muaj.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024