Fermerët dhe tregtarët do të pajisen me dëftesë për produktet bujqësore

Nga A2 CNN
15 Gusht 2023, 20:30 | Aktualitet
Fermerët dhe tregtarët do të pajisen me dëftesë

Borxhet që grumbulluesit, tregtarët, eksportuesit dhe prodhuesit e produkteve bujqësore i kanë njëri tjetrit kanë arritur në gati 10 milionë euro.

Vonesat në pagesë veçanërisht po dëmtojnë fermerët, të cilët për shkak të mungesës së parave detyrohen të ulin sasinë e të mbjellave. Për të korrigjuar këtë problematikë të mbartur në vite qeveria ka hartuar dhe hedhur në konsultim publik projektligjin, “për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”.

“Me një fjalë shumë të shkurtër, me një shpjegim shumë të shkurtër, në gjuhën angleze kjo quhet “warehouse receipt” që në shqip do të ishte “faturë magazinimi.” Projektligji është hartuar nga IFC, pjesë e Bankës Botërore dhe në disa vende të tjera ka funksionuar”, shprehet Ilir Pilku, ekspert për sektorin bujqësor.

Sipas relacionit të projektligjit, dëftesa tregtare do t’i mundësojë prodhuesit që pasi e ka çuar mallin te grumbulluesi, ta dorëzojë atë në një nga bankat në vend duke mundur të marrë kredi.

“Pyetja që ngrihet është kjo: A është sistemi bankar në Shqipëri aq i zhvilluar në drejtim të kreditimit të sektorit bujqësor aq sa të pranojë këtë lloj sistemi. Shifrat tregojnë që jo.”

Zbatimi i kësaj nisme për ekspertë të sektorit bujqësor bëhet edhe më i vështirë për shkak të të tipologjisë së fermerit shqiptar.

“Kjo për shkak të fragmentimit të lartë të tokës bujqësore. Gjithashtu fermerët tanë janë shumë të vegjël.”

Qeveria parashikon se me anë të projektligjit do të nxitet financimi në bujqësi, ndërsa fermerët do të prodhojnë më shumë. Gjithashtu synohet rregullim juridik i marrëdhënies fermer-grumbullues dhe zinxhir financimi për subjektet e përfshira në sektorin bujqësor.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi