Sot është dita e fundit për betimin e kryebashkiakut Fredi Beleri dhe në Himarë po zhvillohet një protestë në mbrojtje të tij. Për këtë arsye, nga burgu Beleri ka pasur një mesazh, teksa tregon se nuk e ka humbur shpresën që do të marrë drejtimin e Bashkisë.
“Jam mirë, jam i fortë. Jam duke pritur. Kanë kaluar 3 muaj, jam i vendosur të betohem kryetar bashkie dhe të shkoj atje ku më kanë emëruar himariotët. Dua t'u them atyre të jenë të fortë, të presin dhe të kenë besim te Zoti. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë. Ndonjëherë më shpejt, ndonjëherë më ngadalë, por në fund fiton gjithmonë”, tha ai nga burgu, për mediat greke.
Ai hedh akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
"Arsyeja e vetme që jam këtu është rrëmbimi i pronave për llogari të investitorëve strategjikë që janë kryesisht miq të qeverisë dhe kryeministrit," shtoi Beleri.
Në fillim të muajit, SPAK çoi për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në njoftim, SPAK argumentoi se nga provat e administruara gjatë hetimit, rezulton se është e provuar që Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo person që ai do gjente dhe që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për shërbimin që do të kryente Arsen Rama, do të shpërblehej në shumën 300 euro. (A2 Televizion)