Demokratët kanë lënë mënjanë akuzat dhe janë bërë bashkë në një tryezë festive për të bërë një dolli për festat e fundvitit. Xhelal Mziu ishte iniciatori i tryezës së bashkimit të demokratëve. I pranishëm ishte Sali Berisha, i cili e quajti takimin një fillim të ri të grupit parlamentar. Në këtë drekë festive mes demokratëve ra në sy mungesa e Alibeajt, por e pranishme ishte Jorida Tabaku dhe të tjerë deputetë të njohur si grupimi i linjës zyrtare.
Demokratët bëhen bashkë për të ngritur një dolli për festat e fundvitit, ndonëse drejt zgjedhjeve vendore po shkojnë të përçarë. Duke lënë mënjanë akuzat ndaj njëri-tjetrit, pjesa më e madhe e grupit parlamentar të PD-së i është përgjigjur ftesës së deputetit Xhelal Mziu për të festuar bashkë, takim të cilin Sali Berisha e konsideroi si një fillim të ri të grupit parlamentar.
E para që publikoi këtë lajm të shoqëruar me disa foto ishte deputetja Jorida Tabaku, e cila në rrjetet sociale ndau edhe një mesazh: “Një dolli për mendimin ndryshe, se të duash të ndryshosh për mirë nuk të bën as të shitur e as të blerë e as peng”.
Në këtë takim ra në sy mungesa e atyre që konsiderohen udhëheqja e linjës zyrtare, si Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, ndërsa këtë qasje bojkotuese nuk e ndoqi Gazmend Bardhi, i cili e kishte pranuar ftesën, por jo idenë e Sali Berishës për një fillim të ri të grupit parlamentar: “Në vaki, festa apo dasma, të ftuarit nuk zgjedhin dot njëri-tjetrin. Ky nuk përbën asnjë fillim të vjetër apo të ri dhe dreka e sotme nuk kishte asnjë mesazh politik”.
Teksa demokratët festonin, Alibeaj prezantoi kandidatin e tij për Bashkinë e Kamzës, ku në sy ra prania e Shemsi Premçit, personi që aspiroi të kandidonte, por humbi primaret e organizuara nga Sali Berisha, duke hedhur më pas akuza për parregullsi. (A2 Televizion)