
FIFA ka njoftuar se ka nisur hetimet kundër Serbisë, për incidentet e ndodhura në ndeshjen me Zvicrën, ku disa lojtarë u përleshën me kapitenin e kësaj të fundit, Granit Xhaka.
Nga ana tjetër, vetë Xhaka nuk do të jetë pjesë e hetimit. Hetimet kanë nisur, sipas FIFA-s, pasi mund të ketë pasur “shkelje të mundshme” të tre neneve të kodit disiplinor të FIFA-s gjatë ndeshjes së Kupës së Botës. Këto janë nenet 12, 13 dhe 16. Neni 12 ka të bëjë me sjelljet jo të mira nga lojtarët dhe zyrtarët, neni 13 me diskriminimin dhe neni 16 me sigurinë në lojë. Gjatë ndeshjes, trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, u kap nga kamerat duke ofenduar shqiptarët.
Sipas informacioneve të gazetës zvicerane “Blick”, nuk do të ketë asnjë procedim ndaj Zvicrës apo kapitenit Granit Xhaka. Në fund të ndeshjes, ai u pa duke mbajtur veshur një fanellë të Zvicrës, me mbishkrimin Jashari. Mediat serbe tentuan ta cilësonin edhe këtë si provokim, duke e lidhur me një nga heronjtë e luftës së Kosovës, Adem Jashari, por në fakt fanella i përkiste një tjetër shqiptari që luan me Zvicrën, Ardon Jashari.
Sherri mes lojtarëve serbë dhe mesfushorit me origjinë shqiptare, Xhaka, riktheu edhe një herë debatet mbi nacionalizmin në Ballkan. Xhaka dhe Shaqiri u dënuan me gjobë nga FIFA 4 vite më parë, pasi në një tjetër ndeshje kundër Serbisë në Botëror, ku shënuan të dy nga një gol, festuan duke bërë simbolin e shqiponjës. Këtë herë, Shaqiri edhe pse shënoi nuk e bëri këtë simbol me duar. (A2 Televizion)