Gërvalla përplaset me Daçiç në OKB, ia thotë shqip e serbisht: Je vrasës

Nga A2 CNN
27 Prill 2023, 18:51 | Kosova
Gërvalla përplaset me Daçiç në OKB, ia thotë

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për raportin e UNMIK-ut për Kosovën nisi me një padrejtësi.

Kryesuesi, ambasadori i Rusisë në OKB, Vasili Nebenzia, favorizoi Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç dhe nuk lejoi që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, të fliste në gjuhën e saj amtare.

“Daçiç foli me gjuhën e popullit të tij dhe jo në gjuhën angleze, siç bëjnë të gjithë. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë”, tha ministrja Gërvalla.

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade vlerësoi marrëveshjen e 27 shkurtit dhe aneksin e Ohrit duke bërë thirrje për zbatimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo tërhoqi vëmendjen duke kritikuar tensionet e krijuara mes palëve duke thënë se i çuan ato afër skajit për konfrontim fizik.

“Pa një mekanizëm për bisedime të vazhdueshme situata mund të rëndohet akoma më shumë në Kosovë me pasoja edhe për stabilitetin në rajon”, u shpreh Caroline Ziade, shefe e misionit të UNMIK.

Megjithatë Serbia vijon që të shkelë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën dhe këtë herë, në sytë e mbarë botës.

“Serbia nuk mund dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së”, deklaroi Daçiç.

Kryediplomati serb pretendoi se situata për serbët në Kosovë është ende e pasigurt dhe për këtë kërkoi formimin e asociacionit. Nga ana tjetër, ministrja e jashtme e Kosovës i tregoi të pranishmëve se kë kishin mes tyre.

“Ivica Daçiç tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë është përgjegjës për vrasje masive, dhunim si armë e luftës dhe krime lufte. Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte. Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ishte dora e djathtë e kasapit të Ballkanit, Millosheviç”, zbuloi për të pranishmit Gërvalla.

Gërvalla pati kritika të mëdha për raportin e UNMIK-ut duke e konsideruar atë me shumë probleme pasi nuk paraqet realitetin në terren, përfshirë angazhimin e Kosovës për paqe, samitin e Tiranës dhe as atë të Berlinit si dhe as marrëveshjet e dala prej tyre.

Gjithashtu iu përgjigj homologut Daçiç duke thënë se Kosova i ka zbatuar gjithmonë ujditë, por se është Serbia ajo palë që vetëm mashtron.

Ministrja tha se ndërkombëtarët e kanë kuptuar këtë dhe po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit. Ndër të tjera, kryediplomatja e Kosovës, para mbarë botës akuzoi Serbinë se do të kishte nisur një luftë po të mos ishte për prezencën e NATO-s dhe SHBA-ve.

“Rusia si aleati më i afërt i Serbisë është kërcënimi i rajonit. Vuçiçi, Daçiçi dhe Shesheli jetojnë në supremacinë ruse. Serbia ka vendosur si program qeveritar një version 2.0 të Serbisë së madhe, një dokument patologjik, i ideologjisë hakmarrëse në vend që t’i kthej sytë nga e ardhmja”, përfundoi kryediplomatja e Kosovës.

https://a2news.com/2023/04/27/seanca-kryesohet-nga-rusia-kosova-dhe-serbia-diskutojne-ne-okb-raportin-e-unmik/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani