Gërxhaliu: Në Shqipëri është e pamundur të bësh biznes, nëse nuk ke lidhje me politikën

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 21:44 | Ekonomi
Gërxhaliu: Në Shqipëri është e pamundur të

Në Shqipëri është e pamundur të bësh biznes nëse nuk ke lidhje me qarqet politike. Këtë shqetësim ngriti në studion e A2 Business përfaqësues i biznesit të Kosovës Safet Gërxhaliu, sipas të cilit është shqetësuese tkurrja e indikatorëve. Ai apeloi për gjetjen e strategjive për zhvillimin ekonomik dhe heqjen e barrierave.

“Mes Kosovës e Shqipërisë duhen takime mes parlamentit e qeverisë, por nuk jetohet nën petkun folklorik. Ekonomia duhet të na forcojë më tepër por për fat të keq ne vetëm flasim por realiteti dhe indikatorët nuk na tregojnë eufori. Kemi tkurrje të indikatorëve dhe kjo është shqetësuese dhe duhet dialog i mirëfilltë të evidentohen problemet. Është krijuar një mosbesim. Në Shqipëri është më e lehtë të bësh biznes me serbë e grekë se me kosovarë. Orientimi duhet të jetë nga Shqipëria. Serbia është aktive në promovimin e ekonomisë dhe fakti që ka agresivitete tregon që e kanë më të fuqishme ekonominë. Kosova e Shqipëria nuk janë ekonomi konkurruese, por plotësuese. Më e mira është që komuniteti i biznesit ka bërë 100 hapa në krahasim me politikën. Sot të jesh biznes aktiv në Shqipëri duhet të kesh lidhje me qarqe politike, përndryshe do të jetë e pamundur. Që të vish në Shqipëri me projekte të mëdha është e pamundur pa lidhje me politikën. Po të mos ishte lidhja me qarqet politike do ishte e pamundur. Është koha të gjejmë strategjinë për të avancuar në të ardhmen. Barrierat janë që nga kufiri deri te porti”, tha Gërxhalliu.

Të njëjtin mendim ndau edhe përfaqësuesi i opozitës, Akil Kraja, i cili solli përmes shifrave, rënien e eksporteve me Kosovën në krahasim me një vit më parë dhe rritje të tyre me 30% me Serbinë.

“Shifrat flasin vetë nëse krahasojmë periudhën janar-shator 21 me janar-shator 2022 në krahun Shqipëri-Kosovë nga 860 mijë tonë eksportet kanë rënë dhe janë rritur me 30 % ato nga Serbia. Nga krahu tjetër njësoj, kemi një rënie nga 157 mijë tonë kemi rënë në 136 mijë tonë. Më pak tregti Shqipëri-Kosovë më shumë me Serbinë. Ne jemi në një situatë kur Shqipëria duhet të qartësojë impaktin ekonomik, këmbëngulja për krijimin e një hapësire ekonomike ku Kosova nuk bën pjesë kjo ka impakt direkt sikurse trau që ka impakt te bizneset. Problematika të skanerit. Një e treta e mallrave që importohen në Kosovë kalojnë nga Shqipëria. Është kostoja  e produkteve fitosanitare që nuk i kërkohet vendeve të tjera, kurse Kosovës po. Janë 134 marrëveshje por nga 2021-në 2022 kemi rënie”.

Përkundër këtyre deklaratave, deputeti socialist Etjen Xhafaj, theksoi se ka rritje të investimeve nga Kosova drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Sipas tij në vendin tonë dyert janë të hapura për të bërë biznes.

“Marrëveshja për Portin e Durrësit, hapja e një pike doganore është nga më të suksesshmet. Kemi mbi 134 marrëveshje dhe një pjesë janë drejt zbatimit, janë me karakter zhvillimor dhe kjo duket. Kemi avancim të zhvillimit ekonomik. Nuk ka fitore finale, është proces që vijon. Kemi gjetur problematika të theksuara në shkëmbimin tregtar me Kosovën. Bizneset nuk vendosin në bazë të diplomacisë ekonomike apo deklaratave, por nëpërmjet fitimit. Jemi shumë të qartë se çfarë na ka bërë izolimi dhe duhet të hapemi dhe duhet të hedhim poshtë barrierat. Kjo është betejë e dyanshme dhe do të përmirësohemi. Dimë që kemi rritje të investimeve nga Kosova drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Ka shumë kompani që kanë ardhur në mënyrë të pavarur. Këtu dyert janë të hapura për të bërë biznes”.

Ndërsa për kryetaren  Bordit Drejtues të Shoqatës së Prodhuesve Ilda Baraj, Shqipëria po kërkon tregje të tjera europiane.

“Nuk besoj se stopojmë te nocionet patriotike. Para se të eksportoj në Kosovë, eksportoj diku tjetër ku ka më shumë benefite financiare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos