
Zgjerimi i vatrave të gripit të shpendëve edhe në qarkun e Vlorës duket se nuk ka përkeqësuar situatën e përhapjes së këtij virusi te shpendët që mbahen në oborre, fermat dhe stabilimentet e këtij qarku.
Punonjësit e drejtorisë së shërbimit veterinar në Vlorë kanë kryer menjëherë asgjësimin dhe groposjen e disa shpendëve ku u konstatua rasti pozitiv, duke dezinfektuar vendin dhe duke vendosur karantinën e një distance prej 3 kilometrash.
Sipas drejtorit të shërbimit veterinar në qarkun e Vlorës, rasti i shfaqur te një patë në fshatin Aliban ka qenë i vetmi dhe se na kontrollet dhe raportimet e bëra në të gjithë qarkun, nuk ka shenja për vatra të tjera të virusit të shpendëve.
Sipas drejtuesit të shërbimit veterinar në Vlorë, Adil Kojdheli, dëmi më i madh në këtë epidemi po i shkaktohet fermerëve, që po humbasin edhe shpendë që nuk janë të infektuar, por që kanë qenë pranë shpendëve të rezultuar pozitiv. Gjithashtu, edhe në qarkun e Vlorës është vërejtur një ulje e ndjeshme e tregtimit të mishit të pulës për shkak të panikut, edhe pse autoritetet sigurojnë që nuk ka asnjë rrezik të kalimit të virusit nga shpendët te njeriu. (A2 Televizion)