Kriza që ka përfshirë thuajse të gjithë kontinentin evropian, si për produktet ushqimore ashtu edhe për karburantet, duket se ende nuk ka mbërritur në fshatrat e bashkisë së Pustecit, në qarkun e Korçës. Banorët e kësaj zone pranojnë se për sa kohë punojnë tokën e tyre, gjërat e domosdoshme për ushqim i sigurojnë vetë, duke mos u ndikuar shumë nga shtrenjtimi i mallrave ushqimore.
“Preshin e kemi, patatet po, blejmë për fëmijët kur kemi nevojë”, thotë një banor.
Kafshët e punës, përveçse i përdorin për të punuar tokat, këta banorë i përdorin edhe si mënyrë transporti, duke mënjanuar në krizën dhe shtrenjtimin e karburantit.
“Kemi gomarin për çdo gjë, për transport, për dru, për të punuar tokën. Pa naftë!”, shton një tjetër për A2 CNN.
Shqetësimi kryesor i banoreve të kësaj zone, është largimi i të rinjve dhe frika se pas disa viteve këto toka nuk do të ketë kush t’i punojë më dhe do të varen nga çmimet dhe krizat që mund të përjetojnë tregjet. (A2 Televizion)