100 vende të reja për oficerë policie, Balla: Ndryshime në ligj për rifreskimin e strukturave në Polici

Nga A2 CNN
11 Gusht 2023, 09:32 | Aktualitet
100 vende të reja për oficerë policie, Balla: Ndryshime në

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka zbuluar një nga propozimet e tij për ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit. Në një takim që pati me përfaqësues të Universitetit të Tiranës, ministri tha se do të dërgojë në Kuvend disa ndryshime në ligjin për Policinë e Shtetit, i cili do të lehtësojë procesin e rifreskimit të organizatës së policisë. Ai e konsideroi rinovimin e Policisë si një sfidë e hapur, duke bërë me dije se aktualisht janë 100 vende të reja për oficerë policie.

“Sfida për një rritje cilësore të nivelit profesional dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit është po ashtu një sfidë e hapur. Sfida për të pastruar Policinë e Shtetit ka hyrë natyrshëm në një fazë të re, e cila natyrshëm kërkon edhe partneritete me institucione që prodhojnë kuadro me nivel të mirë dhe cilësor arsimor”, tha Balla.

Ky plan, ka për qëllim edhe vetëpastrimin në radhët e Policisë.

“Jam sot këtu në Universitetin e Tiranës pikërisht për të planifikuar së bashku një të ardhme të afërt të Policisë së Shtetit, e cila synon një ndryshim dhe patjetër theksi shkon te vetëpastrimi i radhëve të Policisë. Brenda strukturës së policisë, ne tashmë po krijojmë mekanizma, të cilët synojnë të promovojnë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional”, tha Ministri.

Aktualisht, në tetë qarqe të vendit janë çelur aplikimet për t’u futur në Akademinë e Sigurisë, të studentëve që kanë përfunduar të dyja ciklet e studimeve në fusha: drejtësi, ekonomi dhe IT, me mesataren 8 e sipër. Janë 100 vende për t’u plotësuar në Policinë Kriminale, të cilat do të përzgjidhen nga ky kontingjent studentësh universitarë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani