Investimet në Elbasan, fonde që "kthehen në zhavorr" nga cilësia e dobët

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2023, 12:31 | Aktualitet
Investimet në Elbasan, fonde që "kthehen në zhavorr"

Kjo është një ndër rrugët kryesore të Elbasanit e njohur si rruga e re e trenit, që lidh stacionin e trenit me qendrën e qytetit. Por gjendja në të cilën është katandisur nuk ka lidhje fare me emërtimin që ka marrë.

Pas disa qepjeve e shqepjeve të kryera ndër vite, së fundmi ujësjellësi e hapi sërish rrugën që vjen nga stacioni i trenit drejt qendrës së Elbasanit, për shkak se duhej të vendoseshin tubacione të reja.

Pas më shumë se katër muaj punimesh, riparimi që iu bë rrugës, e cila në letra është rikthim në gjendjen e mëparshme, është në këtë gjendje.

Atje ku asfalti nuk është zhytur apo ngritur, është kthyer në zhavorr.

As bashkisë dhe as ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve duket se kjo rrugë nuk u vret as sytë as fondet që janë hedhur për të.

Një tjetër rrugë problematike në Elbasan është dhe unaza jugore e qytetit në pikën ku po kryhen punime për një nënkalim. Për mjete që vijnë nga juglindja është vetëm ky sinjalizimi disa metra para devijimit dhe më pas përballesh me blloqet e betonit dhe devijimin e rrugës.

Në këtë segment, kalimi është akoma më i rrezikshëm gjatë natës, ndërsa rruga është pjesë e aksit nacional që lidh Shqipërinë e Mesme me gjithë juglindjen e vendit dhe rrugët ndërkombëtare me Greqinë dhe Maqedoninë e veriut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos