Kalendari i Superiores, derbi që në javën e parë

Nga A2 CNN
2 Gusht 2023, 11:28 | Futboll
Kalendari i Superiores, derbi që në javën e parë

Sezoni i ri i kampionatit shqiptar do të nisë menjëherë me përballje të forta. Pas shortit të hedhur këtë të mërkurë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, është përcaktuar radha e sfidave që do të luhen për të caktuar skuadrën e re kampione të vendit.

Që në javën e parë shorti ka vënë përballë Tiranën, nënkampione në fuqi, me Dinamon e rinovuar dhe të sapongjitur në Superiore. Ndërsa Partizani kampion do të nisë mbrojtjen e titullit duke pritur Teutën në shtëpi. Një tjetër sfidë e bukur e javës së parë shtë ajo mes Vallznisë dhe Kukësit.

Në javën e dytë, Partizani luan kundër Laçit, ndërsa Tirana kundër Teutës. Derbi mes dy skuadrave më të forta të vendit, që sezonin e kaluar e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta, luhet në javën e gjaështë.

Formati i Kategorisë Superiore 2023-2024 është ndryshuar pas një vendimi të marrë nga Komiteti Ekzekutiv në Federatën e Futbollit. Sipas skemës së re, kampionati mbetet me dhjetë skuadra, ai do të ketë katër faza, në të cilat skuadrat do të luajnë 36 ndeshje. Deri këtu gjithçka është sipas strukturës aktuale. Ndryshimi nis me pjesën kur ekipet e renditura në katër vendet e para do të përballen në një fazë play-off.

Ajo do të quhet “Final Four”, si në Ligën e Kombeve, por ndryshimi është se nuk ka gjysmëfinale dhe finale. Në rastin e Kategorisë Superiore, katër skuadrat do të zhvillojnë tre ndeshje, ku pasi e nisin me nga 0 pikë, ekipiqë grumbullon më tepër pikë shpallet kampion.

Të gjitha sfidat do të luhen në Arenën Kombëtare në Tiranë. Nëse dy ose më tepër ekipe kanë pikë të barabarta në fund të “Final 4”, atëherë renditja e titullit do të bazohet në klasifikimin përfundimtar të 36 javëve të rregullta të kampionatit.

Ekipi fitues i “Final 4” do të shpallet kampion i Shqipërisë dhe do të marrë pjesë në Champions League, ndërsa dy ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në Conference League.

Pjesa tjetër e kampionatit nuk ka ndryshime. Skuadrat që e mbyllin sezonin e rregullt në vendet 9 dhe 10 bien në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, ekipi i vendit të tetë do të zhvillojë një finale me fituesin e play-off nga Kategoria e Parë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani