Kievi në shënjestrën e raketave, sulmohet me dron rafineria ruse, Zelensky mbërrin në Hagë

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 07:57 | Bota
Kievi në shënjestrën e raketave, sulmohet me dron rafineria ruse,

Nuk ka të ndaluar përballja ushtarake mes ushtrisë ruse dhe asaj ukrainase, ndonëse lufta ka hyrë në ditën e saj të 435.

Avionët e Putin janë ngritur sërish në fluturim mbrëmjen e kaluar dhe kanë hedhur me dhjetëra raketa drejt kryeqytetit ukrainas, pjesa më e madhe e të cilave u rrëzua nga sistemi mbrojtës.

Forcat ajrore të Kievit konfirmojnë se raketat u lëshuan nga rajoni i Bryansk dhe brigjet lindore të Detit Azov.

Ndërkohë, që sulmet nga ana e Ukrainës po shtohen dhe brenda territorit rus. Një tjetër rafineri nafte ka shpërthyer në flakë në jug të vendit si pasojë e një droni kamikaz që u përplas me serbatorin e saj.

Ngjarja u regjistrua në rafinerinë e Ilsky, e vendosur në rajonin rus të Krasnodarit. Sipas televizionit Suspilne, luftime të ashpra ka pasur edhe në Odessa dhe Zaporizhzha.

Një lëvizje surprizë e mbrëmjes që lamë pas është dhe ajo e largimit të presidentit Zelensky për një vizitë në Hagë.

Lideri i rezistencës ukrainase zbarkoi në aeroportin e Schiphol dhe pritet të zhvillojë një vizitë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime, e cila është duke hetuar dhe krimet e luftës së Rusisë në këto 15 muaj luftime.

Intesifikimi i luftimeve ka bërë që ambasada e Shteteve të Bashkuara t’iu bëjë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që ndodhen në Kiev që të largohen për shkak të shtimit të sulmeve me raketa.

https://a2news.com/2023/05/03/ukraina-ben-gati-8-brigada-te-reja-per-kundersulm-ndaj-rusise/
https://a2news.com/2023/05/03/deklarata-e-forte-e-medvedev-nuk-mbetet-gje-tjeter-vecse-te-eliminohet-fizikisht-zelensky/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024