Të hënën e 14 gushtit nis konkursi elektronik për degën e Mjekësisë së Përgjithshme. 1813 kandidatë kanë zgjedhur të konkurrojnë për 400 kuota që ka këtë vit ky program studimi. Njoftimi është bërë nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Ndërkaq, A2 CNN ka mësuar se konkurset e Mjekësisë do të zhvillohen përgjatë 8 ditëve, nga data 14 gusht deri më 23 gusht, duke u ndërprerë nga dy ditët pushim të fundjavës. Ky është grafiku i organizimit të testimit elektronik pranë qendrës së Shërbimeve Arsimore në Tiranë.
Kandidatët konkurrues për degën e Mjekësisë janë ndarë në grupe sipas rendit alfabetik. Çdo ditë janë planifikuar të zhvillohen 4 raunde konkursesh me nga dy orë secili. Testimet elektronike nisin në orën 08:30 të mëngjesit për grupet e para dhe mbyllen në orën 16:30 për kandidatët të cilët i përkojnë grupit të katërt të konkurrimit.
Tarifa e konkursit elektronik të Mjekësisë ë Përgjithshme është 5 mijë lekë të rinj. Kandidatët duhet ta bëjnë pagesën para hyrjes në testim në institucionin bankar të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve arsimore.
Me përfundimin e konkursit të dhënat e kandidatëve do të hidhen në sistem nga Universiteti i Mjekësisë për t’u shpallur fituesit në datën 27 gusht.
Si rrallëherë Mjekësia e Përgjithshme u përball me uljen e kërkesave nga të rinjtë. Aplikimet e maturantëve ishin 40% më pak se një vit më parë. Më shumë se sa rikthimi I konkursit, vendimi i qeverisë për të punuar në atdhe, 5 vjet pas studimeve, duket se i ka mbajtur larg Mjekësisë një pjesë të maturantëve me rezultate të larta.
Ndërsa ata që do t’i nënshtrohen konkursit, këtë vit, kanë më shumë shanse për të fituar. Me rritjen e kuotave, afërsisht 1 në 5 konkurrentë do të jetë fitues në degën e Mjekësisë nga 1 në 10 që ishte ky raport vite më parë. (A2 Televizion)