Prej disa ditësh ka nisur shpërndarja e subvencioneve për blegtorët e regjistruar. Këtë vit ndryshe nga më parë subvencioni për mbarështimin dhe rritjen e bagëtive është ulur nga 10 mijë lekë për krerë që ka qenë në 6 mijë lekë.
Dhe kjo shumë pritet të jepet e segmentuar në disa pjesë. Kjo skemë për blegtorët e Sektorit Seman, në Fier, të cilët kanë vite që mbarështojnë bagëti të ndryshme, do të thotë tallje për ta pasi shuma thuajse e përgjysmuar dhe dhënia e saj në disa pjesë nuk u hyn në punë për asgjë.
“Është thjesht për t’u gënjyer se nuk është zgjidhje kjo. Më mirë hiç, nuk na hyn në punë fare, se çfarë do bëjmë ne më parë me to?”, u shpreh një fermer i zonës.
“Subvencionet realisht nuk ka vijnë fare siç e kanë bërë këta, janë gjëra të kota, e bëjnë për të na hedhur ne hi syve. Edhe këto nuk i duam, le t’i mbajnë ata, të pinë raki e t’i prishin me të dashurat e tyre”, tha një tjetër fermer.
Sipas blegtorëve nëse do të vijohet me këtë lloj mbështetje nga shteti atëherë falimenti i tyre është i sigurt, pasi nga vit në vit po vërehet mungesa e vëmendjes ndaj këtij sektori. (A2 Televizion)