Prodhim i ri, por avaz i vjetër e të njëjtat problematika. Një binom ky i pandashëm për fermerët që merren me kultivimin e mollës në rrethin e Korçës.
Ky sezon duket mbarë sa i takon prodhimtarisë, por ajo që është më kryesorja, shitja e mollës dhe marrja mbrapsht e shpenzimeve duket mision i pamundur për këta fermerë, të cilët kanë arritur në pikën që nuk e vlerësojnë më mundin dhe lodhjen e tyre, por nuk po arrijnë të marrin as paratë e shpenzuara për të siguruar këtë prodhim.
Situata ka arritur në kufijtë e mbijetesës, aq sa familjet që për vite me radhë kanë kultivuar mollë, mendojnë ta ndërpresin këtë punë dhe të presin rrënjët frutore.
Kultivimi i mollës në zona të caktuara të Korçës, është dhe mundësia e vetme për të punësuar njerëzit e fshatit dhe kur ky aktivitet nuk sjell të ardhura për fermerin, dihet se çfarë mund të mbetet për të punësuarit (A2 Televizion)