Tregtia me Kosovën në nivele anemike, nuk mungon lufta tregtare mes vendeve

Nga A2 CNN
1 Tetor 2020, 20:38 | Ekonomi

Shqipëria dhe Kosova nuk i kanë shfrytëzuar siç duhet dy avantazhet e të mëdha që kanë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes tyre: gjuhën e përbashkët dhe afërsinë gjeografike.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në vite, shkëmbimet tregtare nuk kanë njohur ndonjë bum të madh, por përkundrazi kanë qenë të luhatshme. Ajo që konstatohet është pesha më e madhe e eksporteve shqiptare drejt Kosovës kundrejt importeve kosovare në tregun shqiptar, që mbeten në nivele anemike.

Kështu, importet nga Kosova kanë arritur pikun në vitin 2018 me 8.9 miliardë lekë, teksa vlerësohen në 5.1 miliardë lekë deri në gusht të këtij viti. Tregu shqiptar furnizohet nga Kosova me produkte si pije, grurë, gizë, artikuj prej çeliku, plastikë, alumin etj.

Për sa i përket eksporteve shqiptare drejt Kosovës ato arritën pikun në vitin 2019, me 29.8 miliardë lekë, periudhë kur Kosova aplikoi taksën 100% ndaj mallrave serbe dhe Bosnje Hercegovinës. Ndërsa deri në gusht të këtij viti, u eksportuan 15.1 miliardë lekë mallra e produkte drejt tregut kosovar. Prodhuesit shqiptarë dërgojnë në Kosovë produkte ushqimore, kryesisht zarzavate; materiale ndërtimi; energji, minerale, naftë; kripë etj.

Publikisht, të dyja vendet janë shprehur për rritje të bashkëpunimit tregtar. Por pavarësisht kësaj, në momente të caktuara lufta tregtare ka qenë e ashpër, si në rastin e qepës dhe patates së Kosovës, që vijoi me çimenton shqiptare, e më pas shpërtheu me alfatoksinën në qumësht dhe me bllokimin e miellit nga Kosova. Një marrëdhënie dypalëshe që ka evoluar ngadalë, ku përfituese më së shumti ka qenë Shqipëria.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos