Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë. Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të ekzekutivit kosovar.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u shpreh se ky vendim është në kuadër të zbatimit të pakos të 11-të të sanksioneve të BE-së për Rusinë dhe Bjellorusinë.
Sipas saj, këto masa përfshijnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumë palësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, ndalimin e transitit të mallrave dhe teknologjisë përmes Rusisë, shtrëngimin e kufizimeve të eksportit, etj.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla tha se vendosja e sanksioneve të reja karshi Rusisë dëshmon përkushtimin e Kosovës për drejtësi dhe paqe në botë.
“MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim zbatimin e pakos së 11-të të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, si dhe zbatimit e vendimit të BE. Më 23 qershor 2023 Këshilli miratoi masa të reja kufizuese ndaj Rusisë pako e rënë dakord përfshinë ndër të tjera këto masa: Forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumë palësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, ndalimin e transitit të mallrave dhe teknologjisë përmes Rusisë, shtrëngimin e kufizimeve të eksportit dhe gjithashtu vendosi sanksione shtesë ndaj 71 individëve dhe 33 subjekteve duke marrë po ashtu vendim të shtoj grupin Wagner dhe Riafan që listën e atyre që i nënshtrohen masave kufizuese të BE-së për veprime që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës... Kosova qëndron e palëkundur në krahë të partnerëve të saj pra SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, aprovimi i sotëm i pakos është një dëshmi e fuqishme e përkushtimit të Kosovës për drejtësi dhe paqe jo vetëm në rajon, por mbarë botën”.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla
Krahas sanksioneve të reja për shtetin rus e bjellorus, kabineti qeveritar miratoi edhe raportin 6-mujor të buxhetit për vitin 2023.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se pranimet për 6-mujorin e parë arritën vlerën prej 1 miliard e 330 milionë euro, që sipas Muratit, shënon rritje.
“Gjithsej pranimet për 6-mujorin e parë arritën vlerën prej 1 miliard e 330 milionë euro duke shënuar kështu një rritje prej 90% krahasuar me periudhën paraprake të njëjtë. Ndërsa, gjithsej pagesat arritën vlerën prej 1 miliard e 154 milionë euro që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak paraqet një rritje prej 11%. ATK ka realizuar një rritje të performancës prej 90% krahasuar me periudhën e vitit paraprak ndërkaq Doganat e Kosovës për periudhën e njëjtë të vitit kanë shënuar një rritje prej 8% në mbledhjen e të hyrave. Të hyrat tatimore kanë pas një rritje prej 2% në krahasim me vitin paraprak. Tek performanca e shpenzimeve vlen të theksohet që shpenzimet buxhetore si tërësi kanë shënuar një rritje prej 16%, e ku rritje e theksuar vërehet tek investimet kapitale krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 ka shënuar rritje prej 90%”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
Ekzekutivi kosovar miratoi edhe koncept dokumentin për Odën Ekonomike të Kosovës.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se përmes këtij koncepti synohet mbrojtja e interesave të bizneseve dhe shoqatave që përfaqësojnë ato.
“Qëllimi i këtij koncept-dokumenti është mbrojtja e interesave të bizneseve dhe shoqatave të bizneseve në Kosovë duke ndikuar pozitivisht në krijimin e një konkurrence të ndershme dhe rritje të qëndrueshme të bizneseve tona duke u zhvilluar e rritur në përputhshmëri me të lartë me parimet dhe praktikat e BE-së”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari
Qeveria e Kosovës mori vendim edhe për hartimin e programit për Reforma Ekonomike 2024-2026. Sipas ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ky program është pjesë e dialogut për politika ekonomike dhe financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
“Programi për Reforma në Ekonomi është pjesë e dialogut për politika ekonomike dhe financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe krahas përgatitjes së vendeve të Ballkanit për pjesëmarrjen e tyre në procedurat e koordinimit e politikave ekonomike në BE ky dokument paraqet një instrument planifikimi të reformave përmes të cilave qeveria planifikon të shtyj zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë periudhës 2024-26”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Bordin e ri drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Bordin e ka prezantuar në mbledhjen e Qeverisë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ka në përbërje po ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Hekuran Nikçi kryeinspektor i Punës, Besnik Fetahu nga Ministria e Financave, Kastriot Meça nga Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, Ardian Shefkiu nga ShSKUK, Izet Sadiku nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Afrim Maliqi nga Shoqata e Pacientëve.
Ekzekutivi kosovar sot ka miratuar edhe draftin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028, i cili ka objektiv zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe ato të infrastrukturës në Kosovë për kërkime shkencore dhe inovative.
Qeveria e Kosovë sot ka rialookuar 900 mijë euro për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për 13 projekte kapitale në 13 komunat e Kosovës që synojnë zhvillimin e infrastrukturës socio-ekonomike.
Qeveria miratoi edhe kërkesën e MAPL-së për dhënien në shfrytëzim të pronave të kërkuara nga komuna e Ferizajt dhe ajo e Dragashit.
Po ashtu, janë rialookuar 160 mijë euro edhe Ministrinë Zhvillimit Rajonal për 3 projekte kapitale në komunat e Dragashit, Ferizajt dhe Shtimes.
Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar mori vendim për themelimin e Komisionit Kombëtar për Refugjatë. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq adresoi kërkesë për një anëtar nga kjo ministri në këtë Komision.
Krahas këtyre vendimeve, sot Qeveria e Kosovës aprovoi edhe koncept-dokumentin për fushën e mjedisit si dhe atë të ujërave. (A2 Televizion)