Prezantuesi i emisionit “Match of the Day” në BBC, Gary Lineker, do të qortohet nga drejtuesit e televizionit publik në Britaninë e Madhe, pasi kritikoi projektligjin e ri të qeverisë për azilkërkuesit.
Lineker, një prej futbollistëve më të mëdhenj që kanë luajtur me kombëtaren e Anglisë, e quajti gjuhën me të cilën u prezantua projektligji - sipas të cilit do t’u refuzohet azili atyre që hyjnë në vend ilegalisht - “jo shumë të ndryshme nga ajo e përdorur në Gjermaninë e viteve 1930”.
Reagimi i ish-sulmuesit të Barcelona dhe Tottenham u kritikua nga politikanët konservatorë në Britaninë e Madhe. Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, personi që prezantoi draftin, tha se ishte e zhgënjyer nga fjalët e Lineker.
“Ne marrim më pak refugjatë se çdo shtet tjetër i madh europian. Kjo është një qasje mizore ndaj njerëzve më vulnerabël, në një gjuhë jo shumë të ndryshme nga ajo që përdorej në Gjermani në vitet 1930”, shkroi Lineker duke iu referuar një videoje të ministres Braverman, ku ajo përdorte shprehe si “u mbush kupa” apo “duhet të ndalim varkat”.
Në vitet të cilave iu referohet Lineker, në Gjermani ishin ngjitur në pushtet nazistët, të cilët nisën të miratonin ligje të diskriminimit racor në vend. (A2 Televizion)