Kthesa e Kılıçdaroğlu, nga i moderuar në nacionalist, në prag të balotazhit

Nga A2 CNN
18 Maj 2023, 16:19 | Bota
Kthesa e Kılıçdaroğlu, nga i moderuar në nacionalist, në

Kandidati i opozitës për zgjedhjet presidenciale në Turqi, Kemal Kılıçdaroğlu u zotua të kthejë në vendet e tyre miliona emigrantë, në një kthesë dramatike në retorikën e tij, në prag të balotazhit me Erdogan. Kılıçdaroğlu, i cili udhëhoqi një fushatë më pozitive krahasuar me rivalin, pësoi zhgënjim në raundin e parë të zgjedhjeve, ku pavarësisht parashikimeve të sondazheve, mbeti prapa presidentit turk.

Duket se kjo e ka shtyrë drejt një qasje tjetër më agresive, teksa akuzoi Erdogan se bashkëpunon me një rrjet terroristësh dhe se ka lejuar emigracionin e pakontrolluar.

“Ne nuk e gjetëm në rrugë këtë vend. Nuk do t’ua lëmë tokën tonë këtij mentaliteti që ka lejuar 10 milionë emigrantë të paligjshëm”.

Ai nuk ofroi të dhëna mbi numrin e emigrantëve, por Turqia është vendi me popullsinë refugjate më të madhe në botë, rreth 4 milionë, për strehimin e të cilëve ka edhe një marrëveshje me BE-në.

Partia me rrënjë islamike në pushtet, AK dhe aleatët nacionalistë fituan një shumicë të rehatshme në parlament, ndërsa Erdogan siguroi përparësinë në zgjedhjet presidenciale, por pa e kaluar pragun e nevojshëm të 50 përqindëshit. Opozitari Kilicdaroglu, i konsideruar si favorit në sondazhe, mori rreth 45 përqind të votave dhe shkon në raundin e dytë më i dobësuar.

Votat që shkuan për kandidatin e tretë në garë Sinan Ogan, rreth 5.17 për qind, mund të rezultojnë vendimtare në përcaktimin e fituesit. 

Kthesa e ashpër e Kılıçdaroğlu sugjeron se fushata e tij në prag të balotazhit mund të shenjohet tani nga një qëndrim më patriotik, krahasuar me retorikën e moderuar të parazgjedhjeve. Deklarata mund të shihet edhe si një përpjekje për të siguruar mbështetjen e Ogan, mesazh kryesor i të cilit ishte kthimi mbrapsht i emigrantëve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024