
Ata që bëjnë më shumë aktivitet fizik e durojnë më shumë dhimbjen se ata që bëjnë një jetë sedentare. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në PLOS ONE, i cili analizoi të dhënat e mbi 10.700 njerëzve.
Studimet e mëparshme kanë treguar që stërvitja ndihmon në lehtësimin ose parandalimin e dhimbjeve kronike duke përmirësuar tolerancën ndaj dhimbjes, megjithatë shumica e këtyre studimeve janë kryer në një numër të vogël njerëzish ose në kategori specifike.
Për të hetuar më tej marrëdhënien midis aktivitetit fizik dhe dhimbjes, studiuesit analizuan të dhënat e mbledhura nga një anketë e kryer me 10.732 të rritur norvegjezë, duke marrë parasysh të dhënat që lidhen me periudhën dyvjeçare 2007-2008 dhe 2015-2016. Pjesëmarrësit, të cilët raportuan nivelet e tyre të aktivitetit fizik gjatë kësaj periudhe, iu nënshtruan një testi të tolerancës ndaj dhimbjes duke e zhytur dorën në ujë të ftohtë me akull.
Rezultatet konfirmuan korrelacionin midis aktivitetit fizik dhe tolerancës më të mirë ndaj dhimbjes. Më sportistët e duruan dhimbjen më mirë se ata që kanë një jetë sedentare, madje edhe ata që kishin bërë më shumë ushtrime fizike në periudhën dyvjeçare 2015-2016 krahasuar me 2007-2008.
“Rezultatet janë të pavarura nga gjinia e pjesëmarrësve, gjë që na befasoi”, thekson Anders Årnes, koordinator i studimit.
Analiza nuk tregoi statistikisht se rritja e niveleve të aktivitetit fizik e bën dhimbjen më të durueshme, por sugjeron që të qëndrosh aktiv, të bëhesh aktiv ose të rrisësh ritmin e ushtrimeve fizike shoqërohen me nivele më të larta të tolerancës ndaj dhimbjes.
“Duket se si sasia totale e ushtrimeve fizike ashtu edhe rritja apo ulja e tyre me kalimin e kohës ndikojnë në aftësinë për të toleruar dhimbjen”, nënvizon Årnes, i cili përfundon me një paralajmërim: “Mesazhi më i rëndësishëm që duhet mbajtur parasysh është se çdo lloj aktiviteti është më mirë se një mënyrë jetese sedentare”. (A2 Televizion)