Lajçaku “zbut” Vuçiçin

Nga A2 CNN
12 Maj 2023, 15:02 | Kosova
Lajçaku “zbut” Vuçiçin

E përshëndeti thuajse heshtur në gjuhën sllave duke i dhënë dorën. Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian në dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, nisi vizitën në Serbi me një takim me Presidentin Aleksandër Vuçiç.

Diskutimi kryesor ishte për hapat e radhës në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj. Gjithashtu, pjesë e bisedës ishte dhe draft-statuti për formimin e asociacionit i prezantuar nga ekipi menaxhues më 2 maj në Bruksel dhe situata në veri të Kosovës. Me përfundimin e takimit, Vuçiç mbajti një konferencë për shtyp, duke lëshuar fjalë të ashpra në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti: “Jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë dhe Metohi, e cila buron nga nevoja e Kurtit për të shkaktuar konflikte. Është i pabesueshëm pasioni me të cilin ai dëshiron të nisë një luftë, në mënyrë që të kthehet në një lloj heroi kombëtar shqiptar”.

Kritikoi sërish ambasadorët e vendeve të Quintit lidhur me zgjedhjet në veri të Kosovës, ndërsa vijoi akuzat për Kurtin duke pretenduar se me anë të ligjit për shpronësimet po tenton të marrë me dhunë lokalet dhe pronat e serbëve. Vuçiç foli edhe për samitin e radhës të Këshillit të Europës që mbahet në Islandë duke konfirmuar se nuk do të kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës: “Unë nuk do të shkoj në Rejkjavik dhe Serbia nuk do të votojë për deklaratën e tyre, ne do të abstenojmë. Me këtë nuk mund ta pengojmë adoptimin, por do të duhet të thonë se nuk është miratuar unanimisht”.

Ndërkohë, vizita e ndërmjetësuesit Lajçak në Serbi vjen pas asaj të zhvilluar dhe në Kosovë, ku pa nga afër situatën në Mitrovicën e Veriut, për të cilën foli me shqetësim. Mesazhet e tij për kryeministrin Kurti ishin të drejtëpërdrejta me kërkesën që çdo vendim lidhur me hapjen e Urës së Ibrit apo për çështje që kanë të bëjnë me komunitetin serb të Kosovës duhet të merren në procesin e dialogut dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu