Partia Demokratike e ka vlerësuar politik dhe të paligjshëm vendimin e KQZ për të mos shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj.
Përmes sekretarit për çështjet ligjore, Çlirim Gjata demokratët bëjnë me dije se do ta ankimojnë këtë vendim që mori sipas tyre KQZ në largim.
“Sot shqiptarët duhet të kishin një kryebashkiak më pak të lidhur me krimin, por Edi Rama vendosi ndryshe me KQZ-në e tij në largim. Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike më shumë se 600 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave.
Sot ai vendosi të dalë mbi ligjin e dekriminalizimit dhe të mbrojë kryebashkiakun ilegjitim të Matit. Ligji është shumë i qartë. Agron Malaj është dënuar me burgim për armëmbajtje pa leje. Ligji i dekriminalizimit e ndalon përjetë që ai të kandidojë apo të zgjidhet në një funksion publik. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht 5 anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpërdorim të detyrës dhe do të ankimojë në gjykatë vendimin e paligjshëm të KQZ-së”, u shpreh Gjata. (A2 Televizion)