Indinjata qytetare ndaj krimit makabër të Dan Hutrës, i cili vrau tri gra dhe plagosi tri të tjera, ka vënë në lëvizje Kuvendin e Shqipërisë, i cili kërkon informacione se përse një person me precedentë të theksuar penal është liruar nga burgu dhe nuk është mbajtur nën monitorim.
Moria e shkresave i drejtohet KLGJ-së, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ku vihet theksi tek masa disiplinore ndaj magjistratëve që kanë shqyrtuar veprat penale të mëparshme të Dan Hutrës.
Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, në kuadër të ushtrimit të rolit mbikëqyrës për zbatimin e ligjit, ju drejtohet me këtë kërkesë për informacion në lidhje me masat e marra nga institucioni që ju drejtoni, mbi verifikimin për përgjegjësi disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata, ku janë shqyrtuar çështje ndaj shtetasit Dan Hutra.
Kuvendi i Shqipërisë
Nëse ILD-së i kërkohet llogari për masa disiplinore ndaj magjistratëve, KLGJ-së, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë i kërkohet informacion nëse ky person me rekorde kriminale ishte pjesë e regjistrit për krimet seksuale, nismë ligjore e cila kishte hyrë në fuqi disa javë përpara se sa Hutra të kryente masakrën në Kamëz, e si rrjedhojë, ai do të duhej të ishte nën monitorim.
Kërkojmë informacione nëse është dhënë njoftimi nga organet e rendit që i dënuari Dan Hutra ka dalë nga burgu dhe nëse po, cilat janë masat që ka marrë Drejtoria përkatëse e Policisë.
Kuvendi i Shqipërisë
Shkresat e Komisionit parlamentar për çështjet ligjore u lëshuan një ditë pasi në seancë plenare të Parlamentit, edhe deputetët e mazhorancës reaguan të indinjuar për ngjarjen.
Informacionet që do të mbërrijnë nga institucionet, pritet të ballafaqohen më pas nga Komisioni i Ligjeve, për të kuptuar çfarë nuk ka funksionuar nga pikëpamja institucionale, që lejoi një të dënuar për vrasje dhe përdhunim, të marrë të tjera jetë. (A2 Televizion)