Maqedonia e Veriut është vendi i radhës që ka vendosur t’i ofrojë ndihmë me mjete luftarake ajrore Ukrainës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e dytë të luftës me Rusinë.
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavajnka Petrovska bëri me dije mbrëmjen e së shtunës se Shkupi do të dërgojë në drejtim të Kievit 12 helikopterët e saj luftarakë, të llojit Mi-24 me kërkesë të qeverisë ukrainase.
Petrovska shtoi se vendimi u arrit pas vlerësimeve të Armatës maqedonase se lirimi nga këto pajisje ushtarake nuk do të dëmtojë kapacitetet mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut.
“Të gjitha pajisjet që janë dhuruar deri më tani, kanë të bëjmë me kërkesën e autoriteteve ukrainase, të cilat janë të afta t'i përdorin, por edhe t’i mirëmbajnë. Sipas planeve tona të modernizimit, këto pajisje tashmë janë në fund të përdorimit të tyre dhe nuk do të jetë pjesë përbërëse e armatimit tonë. Nëse nuk do t’i dhuronim, jemi të sigurt që në një periudhë të shkurtër kohe do të na duhej t’i asgjësonim”, tha Petrovska.
Më herët, Maqedonia e Veriut i ka dhuruar Ukrainës edhe tanket të gjeneratës së tretë, në një ndihmë që tashmë arrin në 30 milionë dollarë. (A2 Televizion)