Marrëveshja e Ohrit, opozita kërkon largimin e Vuçiç

Nga A2 CNN
20 Mars 2023, 10:42 | Ballkani
Marrëveshja e Ohrit, opozita kërkon largimin e Vuçiç

Opozita në Serbi kërkon dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç. Ka qenë ky reagimi ndaj kreut të shtetit për arritjen e pajtimit me Kosovën për të zbatuar propozimin e Bashkimit Europian për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, Vuçiç ka tentuar sërish që të ndryshojë qëndrimin e tij, të premtuar verbalisht ndaj ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, duke sqaruar se zbatimi i planit të BE-së do të bëhet deri në vijat e kuqe të Serbisë.

“Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ajo siç e quajnë Republika e Kosovës, për mua nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Nuk dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovën”, tha Vuçiç.

Vuçiç përsëriti edhe njëherë ato vija të kuqe.

“Pas çdo samiti dhe takimi, në çdo vend, unë pa mëdyshje flas për vijat e kuqe të Serbisë, që kanë të bëjnë me kundërshtimin e pranimit të Kosovës shtet i pavarur, dhe pranimit të Kosovës në OKB. Siç e dini, edhe në takimin e fundit e kam thënë, se askush, asnjëherë nuk mund t'i vendosi obligim ligjor Serbisë për atë që Serbia nuk e ka pranuar. Prandaj, nuk kam nënshkruar atë që BE-ja e ka quajtur marrëveshje e as aneksim”, shtoi ai.

Ndër të tjera, presidenti serb sqaroi marrëveshjen për të pagjeturit, të arritur 18 gushtin e kaluar, duke pretenduar se nuk ka pranuar përdorimin e termit “zhdukje me forcë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos