“RMV anëtarësohet në BE deri në 2030”, Borrell në Shkup: Me ndryshimet kushtetuese nuk humbisni asgjë

Nga A2 CNN
17 Mars 2023, 16:46 | Ballkani
“RMV anëtarësohet në BE deri në 2030”, Borrell

Maqedonia e Veriut mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Është ky vlerësimi optimist i zyrtarëve të lartë të Brukselit që vizituan Shkupin për Këshillin e Stabilizim Asociimit.

Por përfaqësuesi i lartë i BE për politikë të jashtme, Josep Borrell, përsëriti rëndësinë e zbatimit të ndryshimeve kushtetuese të pranuar në kornizën negociuese për të pranuar bullgarët si pakicë kombëtare.

Ai përmendi shembullin e kushtetutës së Kroacisë, në të cilën përfshihen 22 bashkësi etnike, duke thënë se Maqedonia e Veriut nuk humbet asgjë nga këto ndryshime.

“Ky vit është i rëndësishëm pas marrëveshjes së korrikut. Është marrëveshja më e mirë që mundët të merrnit dhe nuk është aspak realiste të besoni se ajo mund të rihapet për negociata të reja në Maqedoninë e Veriut”, tha Borrell.

“Jam plotësisht optimist. Ju përmendët 2030. Mund t’ju them këtë. Mund të jetë më shpejt ose edhe më vonë. Gjithçka varet nga përmbushja e reformave nga ana e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Varhelyi.

Ndërkohë, futja e pakicës bullgare në Kushtetutë është kushti kryesor i vendosur nga BE ndaj Maqedonisë së Veriut për të nisur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit. Por avancimi në këtë drejtim ka mbetur pezull pasi koalicioni qeverisës i kryeministrit Dimitar Kovaçevski nuk i ka numrat për ta miratuar në kuvend, ndërsa opozita e refuzon paktin me Bullgarinë, me arsyetimin se cenohet identiteti dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos