
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha nëpërmjet një deklarate për median se tani që palët janë dakordësuar edhe lidhur me aneksin e marrëveshjes bazë, pret të realizohen zotimet e aleatëve në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse.
“Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, tha Osmani.
“Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet. Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”. (A2 Televizion)