
Prishtina priti Panairin e dytë Ndërkombëtar të Turizmit, që synon të promovojë dhe t’i japë një hov kësaj industrie ende shumë pak të zhvilluar në Kosovë. 200 kompani nga 10 shtete, kryesisht të rajonit, ishin pjesëmarrës në tre ditët e aktivitetit, në dyfishim krahasuar me edicionin e parë.
Por për operatorët turistikë, kjo fushë ka nevojë për një marketim më të madh.
“Të shikojmë që paketa turistike e Kosovës të përfshihet në të gjitha vendet evropiane, pra të ketë një ndërlidhje që të kemi sa më shumë partneritete dhe të sjellim sa më shumë turistë në Kosovë”, tha Sink Baki Hoti, kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë.
“Ajo që është kryesore është ndihma nga shteti, sepse vet sektori privat i turistëve nuk ia del dot të promovojë të gjithë potencialin që ka. Duhet të ketë patjetër subvencione, promovim më të madh që të bëhet një turizëm më i madh”, ths Rrahman Kasa, kryetari i Unionit të Turizmit në Shqipëri.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari deklaroi se Kosova ka një potencial shumë të madh për të pritur lloje të ndryshme turizmi, por nevojitet zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës lidhëse.
“Mendoj se vet pozicioni i Kosovës gjeografik mundëson këtë që ajo të ketë disa lloje të turizmit, si rural dhe malor dhe potencialet e saja duhet t’i shfrytëzoj. Po ashtu, edhe me përmirësimin e aeroporteve dhe mënyrave tjera të transportit, atëherë edhe aktiviteti i Prishtinës dhe qyteteve tjera si destinacione pak më të shkurtra, vikende apo disa ditore do të jetë më atraktiv”, tha Omer Bajraktari, Kryetari i Komunës së Ulqinit.
Turizmi përbën vetëm 2.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës. Vitin e kaluar hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese në të gjithë territorin e vendit pritën vetëm 26 mijë turistë të huaj. Pjesa dërrmuese e tyre ishin shqiptarë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut apo me pasaportë gjermane dhe zvicerane. (A2 Televizion)