
Zv.kryeministrja, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dhënë detaje, duke folur me shifra, se çfarë do të përfitojnë shqiptarët nga zbulimi i naftës në zonën e Shpiragut. Ajo tha se fitimet mund të arrijnë deri në 1.5 mln dollarë.
"Përsa i përket produktit, që është një e ardhur, e cila zgjat nga 25 deri në 30 vite në bazë të kontratës, pasi kontratat hidrokarbure duke hequr të gjitha vitet e eksplorimit, vitet e testimeve etj, janë operative 25 me një të drejtë shtyrje dhe 5 vite të tjera, pra 30 vite, kanë të bëjnë me rentën minerare, e cila në Republikën e Shqipërisë ose në rastin e këtyre kontratave është e dakordësuar që të jetë 10 % renta minerare mbi produktin, ndërkohë tatim-fitimi është në masën 50% i dakordësuar.
Nga ana tjetër, kemi bonusin e prodhimit që është 250 mijë dollarë me prodhimin e fuçisë së parë siç e thashë; 750 mijë dollarë kur prodhimi arrin 15 mijë fuçi; 1.5 milionë dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që janë dhe të gjitha bonuset e tjera. Ajo çka është më e rëndësishmja për qeverinë, është granti i faktorit R që do të aplikohet nga fillimi i kësaj kontrate. Çfarë presim nga prodhimi? Ne kemi rënë dakord që pavarësisht se ne kemi një parashikim të shifrave dhe skenarësh nga Shell, por kemi rënë dakord me kompaninë duke qenë se ata e kanë politikë dhe ne duhet ta respektojmë këtë, që mos te deklarojmë skenarët që ata kanë marrë për bazë", tha Balluku.
Nisur nga këto të ardhura, Balluku tha se këto para do të menaxhohen nga një Fond Sovran.
"E vetmja gjë që, ti e the vetë në pyetjen tënde, që nga momenti që ne kemi filluar punën për ngritjen e një fondi sovran, do të thotë që nuk janë të ardhura 500 milionë euro në vit, të cilat shkojnë direkt në buxhet të shtetit për të mbuluar nevojat, por flitet për të ardhura shumë më të larta të cilat nuk mund të menaxhohen nga buxheti i shtetit dhe do të menaxhohen nga Fondi Sovran, ashti siç ka ndodhur me naftën në Norvegji, me naftën në Arabinë Saudite, në Azerbajxhan dhe kudo tjetër. Kemi dhe raste dështimeve të fondeve sovrane, ashtu siç është rasti klasik i Kanadasë që merret si një key-study se si mund të kedh një fond sovran të asaj përmase dhe ta shkatërrosh, apo si mund të kesh një fond sovran të një përmase shumë më të vogël që ka Norvegjia, por që ne e kemi zgjedhur si partner pasi konsiderohet fondi sovran më i suksesshëm, i cili ka nisur me disa miliardë dhe sot ka disa trilionë nën menaxhimin e tij. Dhe siç e tha dhe Kryeministri, ky fond sovran ka zgjedhur nga fillimi që të niste me rritjen e pensioneve, ndaj fondi sovran i Norvegjisë quhet fondi i pensioneve. Ne jemi në këto kushte", shtoi ajo.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama u kujdes të theksonte se këto fitime do të vinin vetëm në rast se testi përfundimtar do të ishte i suksesshëm.
“Nuk kemi sot për sot një shifër, kemi disa skenar, kështu që do ishte e tepër që këto skenarë të diskutohen sot, për këtë arsye kompania është shumë strikte deri në pasjen e një rezultati përfundimtar, në rast se testi do të jetë i suksesshëm”, përfundoi Rama.
Testi do të nis në muajin tetor dhe pritet një përgjigje përfundimtare brenda muajit dhjetor. (A2 Televizion)