Prokuroria e Posaçme çon për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në njoftim, SPAK argumenton se nga provat e administruara gjatë hetimit, sikurse janë përgjimet audio/video, nga këqyrjet e telefonave, akteve të ekspertimit kompjuterik, si dhe nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi që i pandehuri Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës shumat monetare prej 50 euro për çdo person që ai do gjente dhe që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për shërbimin që do të kryente Arsen Rama, do të shpërblehej në shumën 300 euro.
Këto para, sipas njoftimit të SPAK i janë dhënë të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv.
Dy të pandehurit akuzohen për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje" kryer në bashkëpunim. Alfred Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, dhe qëndron në burg duke mos pasur mundësi të bëjë betimin si kryetar i bashkisë se Himarës. (A2 Televizion)