Fondacioni Down Syndrome Albania (DSA) organizon për të tretin vit radhazi fushatën “Garo/Mbështet si Maratonomak DSA-në”, në kuadër të Maratonës së Tiranës, që mbahet më 22 tetor. Kjo fushatë ndërgjegjësuese dhe ngritje fondesh u iniciua në vitin 2021 nga Daniel Nikolla, një profesionist i marketingut dhe i komunikimit, që jeton dhe punon në Diasporë. Këtë vit, Fondacioni ka synim që mbi 250 maratonomakë të garojnë për kauzën, si dhe mbledhjen e 30 000 eurove fonde, përmes dhurimeve të komunitetit të biznesit dhe individëve nga Shqipëria e Diaspora, të nevojshme për sigurimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet e të cilëve nuk janë në gjendje të paguajnë për këto shërbime. Në Qendrën e Shërbimeve PRO PAK të Fondacionit, aktualisht marrin shërbim 42 fëmijë me aftësi të kufizuara por vetëm 5 prej tyre mund të paguajnë tarifën e plotë të kostos së shërbimit. Vitin e kaluar fushata mblodhi 19 564 Euro fonde dhe mbështeti me shërbim terapeutik 19 fëmijë me aftësi të kufizuara (me sindromën Down, me çrregullime të spektrit të autizmit, humbje dëgjimi, etj). Këtë vit, deri më tani, fushata ka ngritur rreth 25 000 euro fonde dhe mes 254 vrapuesve gjenden qytetarë të thjeshtë, njerëz të medias apo botës së artit. (A2 Televizion)