Një muaj me abetaren e re, autorja Gjokutaj: Vërejtjet dhe sugjerimet do të merren parasysh

Nga A2 CNN
19 Tetor 2022, 12:55 | Sociale
Një muaj me abetaren e re, autorja Gjokutaj: Vërejtjet dhe sugjerimet

Këtë vit shkollor nxënësit e klasës së parë në Shqipëri e Kosovë po mësojnë me Abetaren e re të njehsuar. Një muaj pas nisjes së shkollës, autorja e librit, prof. Mimoza Gjokutaj thotë se gjatë gjithë vitit shkollor grupi i punës do të monitorojë ecurinë dhe se deri tani nuk ka asnjë koment që cenon strukturën apo përmbajtjen e tekstit.

“Kjo abetare është vlerësuar nga një komision i përbashkët, Shqipëri-Kosovë, nga 10 specialistë që kanë qenë mësues gjuhëtare, psikologë e më gjerë. Të tërë kanë dhënë vërejtje e sugjerime që i kemi marrë parasysh. Ne jemi të hapur që gjatë gjithë këtij viti, që po e ndjekim dhe monitorojmë e deri tani nuk ka pasur asnjë koment i cili cenon strukturën apo përmbajtjen e këtij teksti”, tha Gjokutaj në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN. 

Për eksperten e arsimit, Valbona Nathanaili problemi nuk është tek vështirësitë e tekstit të Abetares, por sistemit arsimor. “Çfarë kuptimi ka të mësosh abetaren 45 minuta, 45 minuta matematikën. Fëmijët i çojmë në shkollë në klasë të parë në orën 8 dhe në orën 10 duhet ti marr dikush që ka mbaruar orën e mësimit. Patjetër do ketë probleme me abetaren me matematikën, se nuk mund të mësohet matematika e të bëhet pjesë e jotja nëse i duhen vetëm 45 minuta”, tha ajo.

Për miratimin dhe botimin e librit të ri u deshën më pak se 10 muaj kohë nga firmosja e marrëveshjes. Autorja Gjokutaj thotë se mësuesit janë lehtësuar dhe po ecin me ritëm duke dhënë rezultate. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos