
Opozita zgjodhi t’i tregojë Edi Ramës forcën e numrave e jo atë të muskujve. Protesta kombëtare e thirrur poshtë zyrës së kryeministrit kishte si simbol një gomone që simbolizonte largimin e shqiptarëve jashtë vendit, kryefjalë kjo e të gjitha fjalimeve në podium.
Vjeshta e protestave e pritur që nga muaji shtator trokiti në mesin nëntorit duke shënuar de facto nisjen e fushatës elektorale për vendoret e 14 majit.
Sali Berisha zgjodhi që t’i jepte një mesazh të drejtpërdrejtë Edi Ramës, i cili nuk arriti ta dëgjonte nga zyra e tij pasi agjenda kryeministrore e kishte dërguar në Paris.
I vetëdijshëm se ndërkombëtarët nuk janë në krah të opozitës, kryedemokrati u kërkoi të mos-mbështesin Ramën nën argumentin se është armik i votës së lirë.
“S’ka stabilitet pa votën e lirë”, iu bëri apel Berisha ndërkombëtarëve.
Fjala e Sali Berishës u mbyll me prezantimin e një pakete antikrizë, përmbajtja e të cilës mund të konsiderohet edhe si programi politik i opozitës për zgjedhjet e ardhshme.
Tone fitimtari të një fushate elektorale kishte edhe Ilir Meta. Nga podiumi i protestës, kryetari i Partisë së Lirisë foli për tradhtarë.
“Tradhëtori e ndjek këtë miting të fitores të triumfit të demokracisë nga charteri i tij i paligjshëm. Rilindja ka dy zgjidhe për të varfrit, ose të nënshtrohen ose të largohen”, tha Meta.
Protesta u mbyll me një thirrje të organizatorëve përndezjen e disa qirinjve në shkallët e kryeministrisë e cila shkaktoi një përplasje me forcat e policisë, gjë e cila nuk pengoi ndezjen e tyre dhe mbylljen e protestës paqësisht. (A2 Televizion)