Pelegrinazh në hapësirat e shenjta të Malit të Zi

Nga A2 CNN
7 Maj 2023, 18:13 | Lifestyle

Shumë prej objekteve fetare të krishtera dhe myslimane në Mal të Zi, janë braktisur prej kohësh për shkak të konflikteve nga Lufta e Parë Botërore dhe luftërat ballkanike. Megjithatë, më shumë se 50 nga manastiret e krishtera mbeten të hapura për vizitorët. Disa prej tyre janë mirëmbajtur nga banorët vendas, ndërsa të tjerat nga murgjit që kanë mbetur.

Të ngritura buzë liqeneve, brigjeve detare dhe maleve të thyera, manastiret malazeze u ofrojnë udhëtarëve përjetimin e një epoke tjetër. 

"Një tokë lufte"

“Mali i Zi ka një trashëgimi kulturore shumë interesante që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në Evropë”, thotë Adnan Prekić, një profesor historie në Universitetin e Malit të Zi.

Deri në vitin 100 para Krishtit, Perandoria Romake kishte hyrë plotësisht në Ballkan. Në vitin 395 pas Krishtit, me ndarjen e Perandorisë Romake, në territorin e sotëm të Malit të Zi, kalonte vija ndarëse midis perëndimit me qendër Romën dhe lindjes bizantine me qendër Kostandinopojën. Në shekujt në vijim, këto toka u pushtuan nga venecianët dhe më pas nga osmanët, të cilët sollën edhe islamin në rajon. Të gjitha këto ndikuan drejtpërdrejt në arkitekturën dhe historinë e rajonit.

Manastiri i Ostrogut

I krijuar në shekullin e 17-të si një vend strehimi nga osmanët, manastiri i Ostrogut është një vepër unike arkitekturore, ngritur në faqen e shkëmbit Ostroshka Greda, pranë fshatit të vogël Dabojeviçi. Afresket e me gjethe ari të gdhendura në fasadën e bardhë, bien në kontrast të fortë me ashpërsinë e malit.

Manastiri ka dy seksione të lidhura me një shteg të pjerrët të pyllëzuar. Pjesa e poshtme strehon Kishën e Trinisë së Shenjtë, ku vizitorët mund të admirojnë afreske të shumta. Çdo vit mijëra pelegrinë ecin zbathur deri në shtegun e sipërm të Ostrogut, ku luten para eshtrave të Shën Vasilijes (1610-1671), i njohur në vend si një shenjtor që bënte mrekulli. Trupi i tij ruhet nga një prift dhe mbulohet me një batanije të qëndisur. Çdo 12 maj, myslimanë, të krishterë dhe ortodoksë marshojnë drejt manastirit, për t'u lutur para shenjtorit, me besimin se dëshirat do t'u plotësohen dhe sëmundjet do t’iu shërohen.

Manastiri i Beshkës

Një numër i konsiderueshëm abacish mesjetare u ngritën pranë Liqenit të Shkodrës, gjatë shekullit të 14-të dhe të 15-të, nën ndikimin e murgjve grekë. Zhvillimi i kësaj qendre shpirtërore ortodokse vazhdoi deri në shekullin e 19-të, kur turqit pushtues shkatërruan shumicën e tyre, por 10 prej tyre kanë mbetur. Vizitorët mund të eksplorojnë manastirin Beshka , i vendosur në një ishull të vogël në bregun perëndimor të liqenit. Vendi i shenjtë u braktis për gati 400 vjet, por një dekadë më parë, një grup murgeshash e kthyen atë në jetë. Në të gjenden dy kisha, ku më kryesorja është ajo e Shën Mërisë, me gjurmë afreskesh greke, bizantine dhe sllave. Murgeshat po ringjallin gjithashtu artin e krijimit të ikonave, duke pikturuar ose gdhendur imazhe fetare në panele druri. 

Kisha e Zojës së Shkëmbinjve

Qindra turistë i drejtohen qytetit venecian të Perastit për të parë kishën e vogël me kupolë blu, në Gjirin e Kotorrit. Sipas legjendës vendase, në vitin 1452 dy vëllezër (njëri nga të cilët vuante nga një lëndim në këmbë), panë një ikonë të Zojës në një gur që dilte nga deti. Ata e morën gurin në shtëpi dhe shkuan të flenë, por në mëngjes, ikona ishte zhdukur dhe këmba e djalit ishte shëruar. Duke besuar se ky mund të kishte qenë një mesazh hyjnor, vendasit ngritën një faltore për Zojën, duke grumbulluar gurë për të formuar një ishull të vogël në vendin ku u gjet ikona. Në vitin 1630, Kisha Katolike Romake ndërtoi një kishëz të re. E rinovuar sërish në vitin 1722, Kisha e Zojës së Shkëmbinjve përmban më shumë se 2500 pllaka argjendi të dhuruara nga marinarët. Një muze ngjitur me të strehon artefakte ilire të gjetura aty pranë, piktura të anijeve vendase dhe një sixhade.

Çdo 22 korrik që nga viti 1938, qyteti feston zbulimin e ikonës së shenjtores nga vëllezërit. Banorët vendas dekorojnë varkat me fjongo dhe lule, më pas i mbushin me gurë dhe i fundosin nëpër ishull.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/04/17/ne-meteora-manastiret-arrijne-drejt-qiejve-dhe-parajses/

A2 CNN Livestream

Latest Videos