Pesë në pranga për një “shtëpi bari” në Dimal, mes tyre dy punonjës të OSHEE-së

Nga A2 CNN
20 Gusht 2023, 13:16 | Kronikë

Një banesë e përshtatur për kultivimin e kanabisit është gjetur nga policia në fshatin Pobrat të Dimalit.

Banesa në pronësi të një 21-vjeçari ishte përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera elektrike, për kultivimin e kanabisit. Uniformat blu gjetën brenda banesës 80 bimë kanabisi në fazë rritjeve, 315 kubik dhe 25 llamba.

Efektivët arrestuan të riun me inicialet E.B. dhe dy vëllezër nga qyteti i Fierit, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antikanabis të koduar "Pobrati".

Në fshatin Pobrat, Dimal, në banesën e shtetasit B.R., u zbulua 1 ambient që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishte përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Gjatë kontrolleve në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 85 bimë të dyshuara narkotike kanabisi, 315 fidanë bime narkotike, 25 llamba, 1 aspirator, 6 ventilatorë dhe 20 rritës të energjisë elektrike.

Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit B.R., 21 vjeç (pronari i banesës),  I.B., 29 vjeç, ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Berat, pasi ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Lushnjës kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike" dhe vëllai i tij F.B., 25 vjeç, të dy banues në Fier.

Forcat e rendit po ashtu vunë në pranga edhe dy punonjës të OSHE-së, shtetasit R.M, 55 vjeç, me detyrë përgjegjës i grupit të OSHE-së dhe E.B., 32 vjeç, me detyrë faturist elektrik, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

Materialet procedurale për çështjen në fjalë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos