Po humb edhe shpresa, Pogoni i bukur i harruar mes natyrës

Nga A2 CNN
24 Tetor 2021, 12:37 | Aktualitet
Po humb edhe shpresa, Pogoni i bukur i harruar mes natyrës

Pogoni është një prej krahinave me banorë mikpritës dhe natyrë të bekuar në qarkun e Gjirokastrës. Por për të arritur në këtë zonë, rruga është një sfidë jo e lehtë për t’u kaluar.

Duhen 2 orë e 30 minuta, por udhëtimi, përtej peizazhit piktoresk që të shoqëron, pa më të voglin dyshim mund të konsiderohet një makth i vërtetë.

Të udhëtosh në këtë rrugë pa rrugë, përpos aftësisë së drejtimit të mjetit, domosdoshmërisht duhet të posedosh automjet të lartë, pasi kjo është e vetmja mundësi për të mbërritur në këtë destinacion.  

Vëmendja e pushtetit lokal dhe atij qendror ndaj kësaj zone është gati inekzistente. Banorët vuajnë dhe shpenzojnë më shumë se gjysmën e të ardhurave mujore për të vajtur deri në Gjirokastër për të marrë shërbimin mjekësor.

Premtimet elektorale duket se nuk po i hyjnë më në sy banorëve që kanë mbetur në Hllomo, Mavrojer e Catister.

Përtej mikpritjes dhe bujarisë, banorët tregojnë se dikur kjo zonë ka qenë mjaft e populluar, por me kalimin e viteve, shumica e tyre janë larguar në emigracion apo drejt qyteteve të tjera të vendit, e sot, ata që jetojnë aty numërohen me gishta, ku që të gjithë janë në moshë të thyer.

E nëse vijon me këtë harresë shumë shpejt do të themi, na ishte dikur Pogoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos